Populli opozitar është ngritur në protestë, por qeveria ende nuk ka sy të shohë e veshë të dëgjojë kërkesat e asaj pjese të popullsisë që i ka shkuar ushta në palcë.

Në protestat që po zhvillohen me bllokim të rrugëve dhe magjistraleve kryesore, pjesëmarrja nuk është e ulët, por në të shikon gjithmonë e më shumë moshat e mesme e ata pensionistë.

Të rinjtë janë gjithmonë e më të pakët në numër sepse ata kanë ikur, kanë lënë vatanin kur nuk mundën të gjenin punë për të rritur fëmijët në këtë vend. Ajo pjesë që është akoma në këtë vend, janë ata që janë kthyer nga azili dhe ata që nuk e kanë patur akoma një mundësi për të ikur, qoftë edhe për të blerë biletat e autobusit.

DurrësLajm” ka ndjekur nga afër çdo protestë që ka zhvilluar opozita dhe pjesëmarrës në të janë pak nga mosha e re, e më së shumti mosha e mesme, e cila ka mbetur pa punë dhe pensionistët që nuk kanë ku të shkojnë në moshën që janë.

Ata që i bashkohen protestave janë të varfrit e qyteteve e të fshtrave të mbetur pa shpresë, të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura të partive në fushatat elektorale, janë ata që me pensionin minimal mundohen të shtyjnë në mjerim ditët e mbetura, janë 50-vjeçarët e papunë, që me moshën që iu përparon nuk i punëson më askush. Janë ata që zbritën nga zonat e thella rurale të Veriut dhe Jugut, dhe u përballën edhe me skamjen më të madhe në qytet, pa ndihmë ekonomike dhe sociale, pa mbështetje, pa dritë në fund tuneli.

Janë po ata që mashtrohen lehtë para kutisë së votimit, dhe që më pas zhyten në mjerim. Janë ata që Edi Rama iu premtoi 300 mijë vende të reja pune, iu premtoi se nuk do ishin kurrë vetëm, por me qeverinë që ai do të instalonte do të gjenin zgjidhje të gjitha problemet e tyre.

Guraliu është një pensionist i cili ka punuar druvar në pyjet e Gramshit deri sa doli në pension. Ai jeton i vetëm me bashkëshorten, sepse fëmijët emigruan si mijëra të rinj të tjerë që lanë vendin për një jetë më të mirë. Është i zhgënjyer si pjesa dërrmuese e 650 mijë pensionistëve në Shqipëri.

Ata që marrin pjesë në protestë e kanë një hall minimalisht. Por shumica kanë shumë e më shumë halle që nuk kanë zgjidhje me politikat që zbaton qeveria. Zëri i qytetarëve është i pastër, kryeministri nuk ka veshë të dëgjojë deri tani hallet e protestuesve, për sa kohë është kryeministri i të gjithë shqiptarëve e jo vetëm i popullit të Partisë Socialiste.

K.H.