Një krim brenda familjes tronditi këtë mëngjes Xhafzotajn në Durrës, ku djali ka vrarë me armë zjarri të llojit çifte dy prindërit e tij.

Sipas informacioneve nga Policia e Durrësit, krimi i rëndë ndodhi në familjen Nika, ku autor është djali, Leo Nika, 29 vjeç.

Ai ka qëlluar për vdekje dy prindërit e tij, babanë Ali Nika 70 vjeç, dhe nënën Junije, 66 vjeçe.

Paraprakisht dyshohet se autori në momentin e arrestimit ka qenë i dehur.

Më datë 29.06.2017, rreth orës 07:55, në Xhafzotaj, pranë derës së banesës janë gjetur të vrarë me armë zjarri, shtetasit A. N. 70 vjeç dhe bashkëshortja e tij, shtetësia J.N.

Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë, të cilët kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Dyshohet se autor është djali i tyre, shtetasi L.N. i cili po pyetet rreth rrethanave të ngjarjes, në sqarimin e plotë të saj”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë së Durrësit.

Fqinj të familjes Nika, thonë për “DurrësLajm”, se autori kishte qenë më parë emigrant në Itali dhe ishte kthyer para disa vitesh. Ai është i martuar dhe babai i një vajze. Sipas fqinjëve, 29-vjeçari jetonte më shumë në shtëpinë e nuses dhe sipas fjalëve që qarkullonin në fshat, ai luante bixhoz.