Policia greke ka zbardhur skemën si funksiononte organizata e kokainës e përbërë nga shqiptarë dhe grekë, kur 4 ditë më parë u arrestuan 5 persona. Zyrtarisht njoftohet se mes të arrestuarve, 4 janë shqiptarë të moshës 34-56 vjeç dhe një biznesmen grek 61-vjeçar i njohur në zonën e Trikallas në Greqi.

“Truri” i organizatës së kokainës në Ballkan është një 53-vjeçar shqiptar, thotë polica greke, e cila shton se është ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri dhe i përfshirë në fushën e transportit të gazit natyror. Në këtë operacion të madh antidrogë është përfshirë dhe DEA amerikane e vendosur në Athinë. Kokaina vinte nga Kolumbia nga organizata “Cali”, e paketuar me logo të PlayBoy-t dhe ishte cilësi e pastër. Plot 21 kg kokainë u sekuestrua nga autoritetet greke dhe shuma të mëdha parash të dyshuara se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Gjysma e sasisë së kokainës iu gjet biznesmenit grek, kurse gjysma tjetër një 35-vjeçari shqiptar tashmë të arrestuar. Ky i fundit e kishte fshehur drogën poshtë sediljes së shoferit dhe të pasagjerit në një vend të modifikuar posaçërisht.

Nga aktiviteti i trafikut të kokainës, kjo organizatë kriminale ka qarkulluar të paktën 800 mijë Euro. Shtypi grek shkruan se hetimet e DEA-s nuk kanë përfunduar akoma. Agjencia amerikane e zbulimit të trafikut të drogës ka dyshime të forta se biznesmeni shqiptari që drejtonte këtë rrjet droge, ka lidhje të forta në Shqipëri dhe hetimet mund të nxjerrin në dritë të tjera informacione të vlefshme.

Gjatë këtyre ditëve, mediat greke kanë raportuar se biznesmeni grek është pronar i një kompanie nafte në Shqipëri. Ai është Thanasis Karatzounis, kurse identiteti i biznesmenit shqiptar që drejtonte trafikun e kokainës nuk është bërë i ditur. /tvklan.al/