Kush është i akuzuari për trafik droge që “i hëngri kokën” prokurorit të Krimeve të Rënda

15/12/2019 - 20:16

Prokurori i Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri ngeli në filtrat e vetingut për shkak të kontakteve me një të dënuar për trafik narkotikësh, përfitimin e një dëmshpërblimi me të dhëna të pavërteta dhe mos-hetimin e akuzave për korrupsion ndaj një prokuroreje të Matit.

Një raport i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, dhe mendimi i vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, mbi figurën e prokurorit Përparim Kulluri janë shkaqet vendimtare të shkarkimit të tij nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Megjithatë, prokurori i Krimeve të Rënda mori notë negative edhe në kriterin e pasurisë, për të cilin trupa gjyqësore e KPK argumenton se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm.

Komisioni po ashtu gjeti se Kulluri nuk kishte kryer hetime të thelluara në një rast të dyshuar ndaj një prokuroreje të Matit, të akuzuar për korrupsion. KPK arsyeton se ndërsa ky fakt nuk ishte shkarkues në vetvete, moskryerja e asnjë veprimi hetimor për një vit cënonte besimin e publikut te drejtësia.

Kulluri, prokuror i Krimeve të Rënda prej vitit 2004 ka drejtuar për pesë vjet edhe Prokurorinë e Shkodrës. Me dekret të Presidentit të Republikës, ai është rikthyer sërish si prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht.

Fshehja e kontaktit ‘të papërshtatshëm’

Në vendimin e zbardhur, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arsyeton se prokurori Kulluri ishte përpjekur të fshihte kontaktin me një person të identifikuar si A.B. “Subjekti, me vetëdije, është shmangur nga konfirmimi i marrëdhënies me këtë shtetas. Trupi gjykues krijon bindjen se deklarimi i subjektit në tërësi bëhet i pabesueshëm dhe me qëllim shmangien e lidhjes së tij me shtetasin M. B., i njohur edhe si A. B,” thuhet në arsyetimin e KPK-së.

Kulluri, i cili u shkarkua nga KPK më 6 nëntor, pranoi njohjen me personin në fjalë, por mohoi të dinte problemet e tij me ligjin. Ai po ashtu mohoi që të kishte pasur dijeni se një makinë që ai e kishte përdorur edhe për të udhëtuar jashtë vendit, ishte në pronësi të A.B.

Komisioni nga ana tjetër vë në dukje se kishte informacion të klasifikuar që provonte kontaktet e vazhdueshme mes Kullurit dhe personit në fjalë. Ndërsa si kontakt i papërshtatshëm nga DSIK  u konsiderua edhe vëllai i prokurorit, por KPK nuk shprehet për këtë në vendim. “Në bazë të vlerësimit të fakteve dhe rrethanave të dala, trupi gjykues arriti në përfundimin se faktet e përmendura në raportet e DSIK-së, informacionet e dhëna nga institucionet përkatëse dhe konstatimet e vëzhguesit ndërkombëtar, e identifikojnë subjektin e rivlerësimit se ka kontakt me persona të përfshirë në krimin e organizuar, konkretisht në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike,” thuhet në vendim.

KPK shprehet në arsyetim se jo i gjithë informacioni i siguruar nga Komisioni i ishte vënë në dispozicion vetë subjektit. Duke iu referaur një rasti në Gjykatën e Strasburgut, KPK shprehet se kishte verifikuar informacionin dhe se fakti që trupi gjykues e dinte këtë ishte i mjaftueshëm, sa kohë ai nuk mund të deklasifikohej.

“Arritjen e këtij konkluzioni, përveç sa më sipër arsyetuar, trupi gjykues e bazon edhe me krijimin e bindjes së brendshme në informacionet dhe dokumentacionet e klasifikuara, të cilat nuk mund të përdoret në aktet publike apo të vihen në dispozicion të subjektit të rivlerësimit,” thuhet në vendim.

KPK po ashtu thotë në vendim se qëndrimi i Kullurit mbi këtë kontakt kishte qenë mohues. Prokurori sipas vendimit pretendoi se kishte paqartësi për kontaktet me telefon, numrin e telefonatave dhe rrethanat e takimeve dhe këmbënguli se makinën e kishte huazuar nga dikush tjetër dhe jo nga A.B apo M.B.

Megjithatë, Komisioni provoi se Kulluri kishte përdorur makinën për të kaluar kufirin. Komisioni thotë se kjo nuk mund të bëhej pa pasur një akt nga pronari i mjetit. Sipas KPK-së, mosvënia në dispozicion e këtij akti tregontre përpjekjen e prokurorit për të fshehur kontaktin e papërshtatshëm.

Dyshimet për dëmshpërblimin

KPK po ashtu gjeti probleme në deklarimin e pasurisë së Kullurit. Veç problemem me burimin dhe mënyrën e pagesës për një makinë, KPK pas shqyrtimit të hollësishim arriti në përfundimin se prokurori kishte deklaruar të dhëna të rreme për të përfituar një dëmshpërblim 7.8 milionë lekë për një dyqan në Orikum.

“Veprimet e ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit, duke paraqitur të dhëna të pavërteta, me qëllim sigurimin e vlerës së lartë të përfitimit të të ardhurave nga shpronësimi i objektit “dyqan”, duke pasur parasysh pozicionin e tij si prokuror,” thuhet ndër të tjera në vendim.

Duke iu referuar qëndrimeve të Kullurit, i cili fajësoi një akt ekspertimi që e paraqiste pasurinë e tij në Orikum më të madhe se sa ajo ishte aktualisht, KPK i rrëzoi ato duke cituar fjalët e ekspertit. Sipas Komisionit, ekspertiza që ishte gjetur se bëhej për një objekt tjetër me sipërfaqe më të madhe, ishte bërë pas kontaktit të drejtëpërdrejtë të Kullurit me ekspertin.

“Po ashtu, konstatohet se edhe eksperti vlerësues në dërgimin e rezultateve të raportit të vlerësimit i drejtohet subjektit të rivlerësimit dhe jo përfaqësuesve të tij, madje duke i cituar shprehimisht në hyrje të raportit: “sipas kërkesës suaj dhe të dhënave në takimin e bërë me ju me datë 1.7.2006,” thuhet në vendim.

KPK tha se faktet rrëzonin pretendimin e Kullurit, ndërsa fakti që akti i ekspertit vlerësues me të dhëna të pavërteta ishte përdorur në bashki dhe gjyqësor ngarkonte me përgjegjësi pikërisht prokurorin e shkarkuar.

Komisioni po ashtu thotë se edhe vlerësimet e bëra nga ekspertë të caktuar nga gjykata “nuk përkojnë me realitetin e të dhënave mbi të cilat përshkruhet dhe legjitimohet kjo pasuri”. Komisioni thotë se “konstatohen lehtësisht vlerësime të ndryshme të vlerës së investimit të pasurisë nga raporti i vlerësimit të pasurisë i vitit 2006 me atë të vitit 2010, megjithëse në të dy raportet mungon ekzistenca e objektit”.

Sipas KPK, Kulluri kishte siguruar 7.8 milionë lekët të ardhura nga shpronësimi dhe se për të mbështur këtë kishte përdorur të dhëna të pavërteta.

Hetimi i prokurores

Hetimet e nisura nga Prokuroria e Tiranës ndaj një prokuroreje, e cila sipas drejtuesve të saj kishte favorizuar një të akuzuar për 2 plagosje dhe dërguar atë për gjykim vetëm për armëmbajtje pa leje, kaluan në prokurorinë e Krimeve të Rënda, por çështja që i takoi prokurit Kulluri u pushua pas një viti.

KPK thotë se nga dosja rezultoi që gjatë vitit që Kulluri kishte çështjen ai nuk e hetoi atë. Pretendimi i Kullurit se hetimet proaktive kishin përfunduar pa rezultat dhe se pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës e cila kishte dënuar të akuzuarin vetëm për armëmbajtje pa leje, çështja duhej pushuar u rrëzuan nga Komisioni.

KPK arsyetoi se Kulluri nuk shpjegonte se pse e kishte mbajtur dosjen për një vit pa kryer asnjë veprim. Komisioni vë në dukje se me qellim subjekti ka pritur vendimin e Gjykatës së Apelit për të pushuar më pas dosjen ndaj prokurores, ndërsa thotë se përdorimi i vendimit si argument për pushimin e çështjes nuk qëndronte.

“Argumenti se procedimi penal është pushuar një muaj pas administrimit të vendimit penal të formës së prerë, dhënë ndaj të pandehurit të sipërcituar, nuk qëndron, pasi subjekti i rivlerësimit kishte për detyrë të hetonte në lidhje me veprën penale “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, konkretisht të një individi me funksion prokuror që kishte pasur lidhje me hetimin penal ndaj një të pandehuri dhe jo të lidhte ngushtësisht zgjidhjen e çështjes së tij me vendimmarrjen e gjykatës ndaj të pandehurit, pa kryer asnjë veprim hetimor për një vit radhazi”, thuhet në vendim.

KPK arsyeton se nuk ishte kryer asnjë veprim për këtë çështje edhe pse Kulluri nuk kishte dhënë ndonjë provë se kishte pasur ngarkesë. Në fund Komisioni arsyeton se në vetvete çështja nuk çonte në shkarkim, por neglizhimi dhe mosvperimet në një çështje penale me interes të madh publik, cënonin besimin të drejtësia.

“Kur nën hetim janë persona të cilëve u janë besuar detyra të rëndësishme, dhe në rast akuzash të ngritura ndaj tyre duhet të ketë hetime intensive dhe transparente, dëshmojnë për sjellje të subjektit në mospërmbushje të detyrës në pozicionin e prokurorit, duke cenuar në këtë mënyrë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendimin e arsyetuar.

/ Reporter.al

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Bashkia e Durrësit ka publikuar emrat e fituesve të konkurseve për plotësimin e vakancave në 10 vende të lira pune, kryesisht si speciali

Deri ne datën 26 nëntor 2019 kur gjatë tërmetit që u mori jetën 51 qytetarëve dhe u shpallën te pabanueshëm qindra objekte, kjo godinë is

Specialisti civil pranë Forcës Detare në Plepa, Shefqet Kërcelli, përmes një postimi në Facebook, ka hedhur dritë mbi historinë 40-vjeçar

Mejte Shera, nëna e dy vëllezërve që vranë Abdulla Budllën, ka treguar para policisë se si një lidhje intime që ajo kishte me 71-vjeçarin

Mjeku Pëllumb Pipero gjatë një interviste televizive në abc neës, bëri të ditur se shifrta e rasteve aktive në vend duhet të jenë 2 apo 3

Ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj, fiton betejën dhe shërohet nga koronavirusi.

Pas reagimit zyrtar të ambasadës amerikane mbi veprimtarinë e SPAK dhe Policisë, ku theksohej se këto institucione nuk mund të shantazhoh

Ambasada amerikane në Tiranë, thotë se SPAK duhet të lejohet të bëjë punën pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja makabre në Pogradec, ku Olsi Çekiçi vrau nënën e tij.

Ministria e Shëndetësisë ka përditësuar të dhënat e fundit lidhur me situatën e Covid-19 në vendin tonë.