Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës, ndaloi sot një punonjës policie si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit kreu një hetim gati 2 javor për N/komisar Gjergji Azisllari, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në stacionin policor Plazh, Durrës.

Sipas hetimeve të kryera, Azisllari kishte përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin me rekorde kriminale Genti Nderjaku, i cili ishte pajisur me armë zjarri për në banesë.

Kujtojmë se Nderjaku u ndalua me armë në makinë së bashku me mikun e tij Marjel Fierzën në kuadër të operacionit policor “Vjeshtë 2017”.

Nderjaku dhe Fierza ishin duke udhëtuar me një automjet tip Porsche kur u ndaluan të dy nga policia dhe iu gjetën secilit nga një pistoletë.

Policia e Durrësit sqaroi se Nderjaku ishte pajisur me pistoletë për ta mbajtur vetëm brenda ambienteve të shtëpisë, ndërkohë që Fierza deklaroi në gjyq se e kishte gjetur pistoletën dhe se do të shkonte ta dorëzonte armën në policinë e Durrësit.

Gjykata e Durrësit la në burg Fierzën, ndërkohë që për Nderjakun caktoi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Blutë e Durrësit bënë të ditur gjithashtu se për shkeljen e vendimit të mbajtjes së armës me vete Genti Nderjakut i hiqet autorizimi I armës dhe do të dënohet me gjobë në vlerën 300 mijë lekë.