Klajdi Gjeçi është autori i dyshuar i vendosjes së tritolit në makinën e pronarit të një pike intertesh në kryeqytet, ngjarje e ndodhur më 30 nëntor 2017 në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë. 31-vjeçari nuk është emër i panjohur për policinë.

Klajdi Gjeçi njihet si pjesëtar i bandës së Emiljano Shullazit. Në vitin 2012 ai është proceduar për armëmbajtje pa leje, ndërsa në vitin 2015 për plagosje të rëndë me dashje. Në të dyja këto raste 31-vjeçari është lënë i lirë nga Gjykata, pasi çështjet janë pushuar.

Klajdi Gjeçi ka qenë person i dyshuar gjithashtu edhe për vendosjen e eksplozivit në banesën e zv/drejtorit të Policisë së Tiranës, ngjarje e ndodhur më 8 dhjetor 2011. Në atë kohë, blutë e kryeqytetit kishin dyshime të forta se 31-vjeçari ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje kriminale si anëtar i bandës së Shullazit. Kjo ka qenë arsyeja që policia shkoi për kontroll në banesën e tij dhe e arrestoi për armëmbajtje pa leje. Por Gjykata më pas e la të lirë me pretendimin se policia duhet të kishte marrë urdhër gjykate për të kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit.

Sa i përket plagosjes së rëndë me dashje më 15 maj 2015, Klajdi Gjeçi u la i lirë 4 muaj më vonë pasi i dhunuari Enton Nushaj tërhoqi padinë.

Ndërkohë, në Dhjetor 2015 u raportua se Klajdi Gjeçi u mor peng nga tre persona me një automjet BMW X5 me targa të paplota. Gjeçi u dhunua prej tyre dhe u mbajt peng deri sa u zbulua nga policia. Por, i dhunuari dhe autorët e dyshuar dhanë dëshmi kontradiktore në polici. Të dyshuarit pranuan se kishin pasur konflikt me një person, por ai nuk ishte Klajdi Gjeçi. Ky i fundit tha nga ana tjetër se nuk i njihte personat e arrestuar.

Së fundmi, ai dyshohet si personi që vendosi tritolin në makinën e biznesmenit Ndok Rajta më 30 nëntor 2017, ku pati dëme materiale. /tvklan.al