Kryeministri Rama ka qenë në Durrës pasditen e sotme, për të inspektuar një pallat të dëmtuar nga tërmeti. Pasi ka dalë nga ndërtesa shumëkatëshe, Rama është përballur me banorët, të cilët kanë pasur ankesa lidhur me punimet që po bëhen në godinë për rikonstruksionin e saj.

Ndërsa Rama i siguroi banorët se në pallat po riparohen të gjitha dëmet, këta të fundit i përsëritën disa herë se firma po rregullon vetëm ambientet e shkallëve. Sipas banorëve, nuk po riparohen apartamentet, pasi ata i kanë vetë çelësat e tyre dhe askush nuk po kryen punime në to.

Një tjetër banor i tha kryeministrit se kati i nëndheshëm është i mbushur me ujë, në taracë ka tonelata hekuri paleta, ndërsa askush nuk ka vënë plumbçin për të konstatuar nëse është anuar apo jo pallati.

“Kush na jep garanci me fut fëmijët brenda? Nëse dikush na jep me firmë që pallati im është i sigurtë unë i fus të 3 fëmijët e mi brenda” – i tha qytetari kryeministrit.

“As ti, as unë nuk jemi ustallarë. Mos bëj ustain, lëre ta bëjnë ata që e kanë për detyrë.  Dhe lejet prandaj nuk janë dhënë të gjitha, por të gjitha ato që janë dhënë janë dhënë sipas standarteve” – i tha kryeministri banorit.

“Ty po të hedhin hi syve! Në momentin që vjen ti lyejnë fasadën, por kur ikën ti ndryshon” – vijoi më tej qytetari, duke shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me mënyrën se si po bëhen riparimet në pallatin ku ai banonte deri më 26 nëntor.

Më tej banorët vijuan duke i parashtruar kryeministrit Rama ankesat e tyre, por pas disa përgjigjeve të shkurtra, kreu i ekzekutivit u largua pa u dhënë qytetarëve garancitë e nevojshme që ata kërkojnë lidhur me sigurinë e banesave ku do të fusin kokën në të ardhmen.