Kuvendi i Shqipërisë pritet të zgjedhë ditën e nesërme kryeprokurorin e ri. Në orën 10:00 deputetët do të mblidhen në seancë plenare, ku do të diskutojnë dhe miratojnë shumë pika, por midis tyre është edhe emërimi i Prokurorit të ri të Përgjithshëm.

Sipas ligjit, zgjedhja e drejtuesit të ri të organit qendror të akuzës bëhet me 84 vota, çka do të thotë se mazhoranca do të ketë nevojë edhe për kartonët e opozitës për t’i hapur rrugën emrit të ri në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.

KLP renditi të parin Olsian Çelën, më pas Arta Markun dhe në fund u rendit Fatjona Memçaj. Deputetët do të duhet të zgjedhin nesër mes këtyre 3 emrave. Sipas ligjit, Kuvendi ka 30 ditë kohë për të emëruar kryeprokurorin e ri.

Në rast se diçka e tillë nuk ndodh, atëherë automatikisht emërohet kandidati i renditur i pari në listë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Theksojmë se ky zhvillim vjen në një moment, kur vendi ynë ndodhet në situatë emergjente pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona dhe 913 të tjerë mbetën të plagosur.