Vendoset semafori në rrugën "Vëllazërimi" në Ish-Kënetën e Durrësit, një rrugë me një qarkullim të lartë automjetesh dhe këmbësorësh.

Lajmi i mirë i përfundimit të punimeve, për të gjithë përdoruesit e këtij aksi është dhënë nga kryetari i komunës së njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku.

Mazrreku thotë për "DurrësLajm" se vendosja e semaforit në këtë aks ishte e domosodoshme për shkak të numrit të lartë të aksidenteve të ndodhura por edhe për faktin që lidh institucionet e "Durrësit të Ri" (shkollat, komuna dhe qendra shëndetësore) me ato të qytetit.

I lumtur për këtë investim të bashkisë në zonën që Mazrreku drejton prej vitesh, apelon drejtuesit dhe këmbësorët të respektojnë rregullat e qarkullimit për të shmangur fatkeqësitë.

Brenda pak ditësh pritet të bëhet inaugurimi i plotë i semaforit të ri si dhe plotësimi i rrugës me sinjalistikën e nevojshme.

Kujtojmë që në harkun e dhjetë viteve në rrugën "Vëllazërimi" janë aksidentuar me pasojë humbjen e jetës 24 persona, gra, burra dhe fëmijë, çka ka bërë që të konsiderohet si rruga e vdekjes apo të ngrejë disa herë banorët në protestë.

Sjellim në vëmendje rastin ku Bukurie dhe Sabije Cufaj (vjehërr dhe nuse) u përplasen për vdekje mbrëmjen e 12 janarit pasi zbritën nga autobusi në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të rrugës, ku edhe ndodhej banesa e tyre.

Aksi "Vëllazërimi", i cili është pjesë e Unazës së Durrësit, në të dy krahët është i mbushur me shtëpi dhe biznese, ndaj edhe fluksi i lëvizjeve është mjaft i lartë.

G.D.