Gazeta e parë spanjolle në frëngjisht, "Le courrier d’Espagne" i ka dedikuar një shkrim, vendimit të kryeminstrit Rama, për të përjashtuar nga taksat për 10 vjet, hotelet me 5 yje. Sipas Le courrier d’Espagne kjo paketë nxit turizmin në Shqipëri, duke hyrë në konkurencë të drejtpërdrejtë me Greqinë, Kroacinë, Italinë por edhe Spanjën.

ARTIKULLI I PLOTË

“Shqipëria po kërkon vendin e saj në turizmin e luksit. Qeveria e Edi Ramës njoftoi këtë verë një sërë masash për të nxitur turizmin dhe rritjen e tij. Këto masa konsistojnë në : përjashtimin nga taksat për 10 vjet për të gjitha hotelet me 5 yje, por kjo është një masë që mund të shtrihet edhe tek ato me 4 yje dhe që kategorizohen si luksoze por që janë të rrallë.

Me këtë paketë nxitëse Shqipëria shpreson të zerë një vend në skenën e turizmit ndërkombëtar duke hyrë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Greqinë, Kroacinë, Italinë por edhe Spanjën. Situata duket e favorshme për vendin. Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë për një bum të vërtetë turistik në Shqipëri. Kurba e numrit të vizitorëve pothuajse nuk ka pushuar së rrituri që nga viti 2000 (me përjashtim të 2012-2013). Ndërsa vendi priti 317 mijë turistë ne vitin 2000 arriti të kalonte në 4.13 milionë në vitin 2015. Kjo do të thotë një rritje me më shumë se 13 herë në numrin e vizitorëve ndërkombëtarë në vetëm 15 vjet.

Gjithsesi bilanci duket të jetë me më pak ngjyra nëse në vlerësim marrim flukset hyrëse të parasë në raport me rritjen që ka provuar turizmi. Shpenzimet e turistëve ndërkombëtare (transport, të mira materiale apo shërbime kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në fillim të viteve 2000 megjithatë ato duket se kulmin e tyre e kanë pasur në vitin 2009 (2 miliardë dollarë) dhe që nga ajo kohë janë përfshirë në një spirale në rënie duke arritur në 1.6 miliardë dollarë në vitin 2015.

Kështu, ndërsa Shqipëria po kërkon të vazhdojë rritjen e saj, stimujt reflektojnë gjithashtu vendosmërinë për ta mbështetur këtë rritje”.