Ka dështuar sërish seanca në Gjykatën e Krimeve të Rënda për grupin e “Habilajve”, ndërsa shkak është bërë mosmbërritja e letërporosive nga Italia ku të vërtetohet se të pandehurit kanë marrë njoftim për fillimin e procesit gjyqësor edhe ne vendin tonë.

Nga ana tjetër më 13 qershor Gjykata e Katanias në Itali do të mbajë seancë për grupin e Habilajve. Në Shqipëri, i vetmi nga grupi është Armand Koçerri, i cili u arrestua së bashku me Nazer Seitin. Ky i fundit u ekstradua disa muaj më parë në Itali, ku edhe është duke u gjykuar.

Prokuroria akuzon 9 të pandehurit, se në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë trafikuar tonelata drogë drejt Italisë. Kujtojmë se nga përgjimet për këtë grup, ka dalë edhe emri i ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili është marrë i pandehur për përkrahjen e grupit të Habilajve, i drejtuar nga kushërinjtë e tij Moisi dhe Artan Habilaj.