Administratori i Universitetit të Tiranës i është drejtuar sot me anë të një letre Policisë së Shtetit pas përplasjes këtë të premte mes policisë dhe studentëve të ngujuar në universitete

Në letrën e bërë publike, administratori Skerdi Dafa i kërkon forcave të rendit asistencë për rikthimin e qetësisë në auditorët e UT-së. Në shkresë thuhet se policia është e nevojshme edhe për ruajtjen nga dëmtimi i ambienteve që kanë bërë disa individë.

"Lutemi asistencën e Policisë së Shtetit, për garantimin e sigurisë dhe rendit publik nëpër auditorët e Fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Prezenca e Policisë së shtetit ndihet e nevojshme në kushte kur studentët kanë filluar mësimin normalisht, por nga parashikimi i situatës në terren nga Administratorët e Fakulteteve, rezulton se ka bllokime të vazhdueshme të ambienteve të Fakulteteve.

Vlerësohet se ndodhemi në kushtet kur situata paraqitet e renduar, me pasoja negative dekrete në një numër të konsiderueshëm qytetarësh (personel e studente) dhe prezenca ka si qëllim vendosjen e normalitetit në ambientet e UT-së", shkruan administratori i UT.