Vënia në punë me kapacitet të plotë e linjës së re të furnizimit me ujë të pijshëm për zonën e Plazhit të Durrësit nga puset e Çermës, ka bërë që zona në fjalë të ketë një furnizim më të mirë me ujë. Gjatë tre muajve të verës banorët e zonës nga Ura e Dajlanit deri në Shkëmbin e Kavajës kanë pasur një orar furnizimi me ujë nga 4 deri në 6 orë ujë, çka ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me  ujë në sasi dhe cilësi.

Falë investimit të qeverisë shqiptare, gjatë kësaj vere u bë e mundur që nga puset e Çermës në Lushnjë të vijë një sasi prej rreth 170 litër ujë në sekondë e dedikuar vetëm për zonën turistike të Plazhit të Durrësit dhe atë të Shkëmbit të Kavajës. Për herë të parë pas shumë vitesh nga banorët e zonës në fjalë nuk pati asnjë ankesë gjatë sezonit të verës për mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm.

Projekti i Çermës

Nga vendburimi i Çermës u vunë në punë 5 puse, të cilët në total nxjerrin 250 l/sek. Nga kjo sasi, 80 litër ujë në sekondë kanë shkuar në depon e Mansukurisë për të furnizuar më ujë një pjesë të Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, ndërsa sasia prej 170 litër ujë në sekondë ka shkuar në depon e Arapajt, në një kuotë prej 56 metër mbi nivelin e detit. Të dyja depot në fjalë janë ndërtuar të reja dhe kanë kapacitet prej 4000 m3 secila.

Më pas me rrjedhje të lirë është furnizuar me ujë zona e Plazhit. Puset e Cermës janë ndërtuar të rinj dhe pompat zhytëse kanë shkuar në një thellësi prej 20 metrash nga ku kanë pompuar ujë tërësisht të pastër për furnizimin e plazheve të Durrësit, Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit. Projekti i miratuar nga ministria e Transporteve kishte parashikuar edhe ndërtimin e degëzimeve të reja të linjave që do të transportonin ujin nga puset drejt stacionit qendror në Manskuri dhe Arapaj, në total 36 km linjë  DN 500 mm.

Edhe sasia e ujit e dedikuar për plazhin e Durrësit ka qenë e ndarë, ku 85 litër ujë në sekondë ka qenë e planifikuar për zonën Ura e Dajlanit-Plepa dhe 85 l/sek për zonën e Shkëmbit të Kavajës. E gjithë hapësira turistike, nga muri rrethues i portit deri në kufi me Golemin ka pasur sasi të njëtë furnizimi me ujë të pijshëm. Pavarësisht se si vit i parë cdo gjë ka rezultuar me sukses, Ujësjellës Kanalizime Durrës synon që zonën e Plazhit ta ktheje në një zonë pilot, e cila do të jetë e para që do të ketë furnizim 24 orë me ujë.

UKD synon që në këtë zonë të instalohen matësa inteligjentë që do të bëjën të mundur matjen në distancë të sasisë së ujit si dhe njoftimin në rast se ka ndërhyrje në rrjetin e ujit të pijshëm.

Analizat e ujit

Në zonën e Plazhit jetojnë 21 600 banorë rezidentë gjatë gjithë vitit, por në muajt e verës popullsia shtohet ndjeshëm për shkak të turistëve të shumtë që vijnë nga vendet e rajonit dhe bota. Vënia në punë e rrjetit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm ka përmirësuar ndjeshëm sasinë e ujit për çdo familje në këtë zonë, ndërkohë që ky rrjet garanton furnizim të mjaftueshëm edhe për zona të ndryshme që kanë pasur probleme gjatë sezoneve të kaluara.

Para lidhjes së linjës së Çermës për furnizimin e zonës së Plazhit, Ujësjellës Kanalizime Durrës kërkoi nga një laborator privat kryerjen e analizave të detajuara të ujit që prodhohet nga vendburimi i Çermës. Në muajin prill të këtij viti “SCA Laboratory Tests” ka kryer analizat e ujit të pijshëm në një kampion prej 3500 ml ujë të paklorifikuar. Pas kryerjes së analizave ka rezultuar se uji që prodhohet nga puset e Çermës është i një cilësie mjaft të mirë, pa erë, shije dhe ngjyrë.

Amoniaku: ≤ 0.00069 mg/l       Norma: ≤ 0.50 (rif 1)

Kloruret   28.38 mg/l                 Norma: ≤ 250 (rif 1)

Nitrate 1.60 mg/l                       Norma: ≤ 50 (rif 1)

Nitrite ≤ 0.0010 mg/l                Norma: ≤ 0.50 (rif 1)

PH          8.12                    Adimens.      ≥ 6.5 dhe 9.5 (rif 1)

Sulfatet  50.1 mg/l                     Norma: ≤ 250 (rif 1)