“Shteti është çmendur, është zgjidhur nga ushkurët!”, kështu shkruan në Facebook gazetari Mentor Kikia lidhur me vendimin e gjyqtares Enkeleda Hoxha, në Gjykatën e Krujës, për lirmin e Endrit Doklës një ditë më parë.

Duke risjellë në vëmendje rastin e tre javëve më parë në Elbasan, ku gjykata liroi një person të rrezikshëm të dënuar me 25 vjet burg dhe rastin e Dritan Dajtit për të cilin Kikia shkruan se e nxorrën me leje për të pirë kafe në Bllok, gazetari thotë se KLGJ duhet të ndalojë këto raste skandaloze.

POSTIMI I PLOTË

Shteti është çmendur, është zgjidhur nga ushkurët!

Historianët duhet të mbajë shënim, pasi kjo “epokë” duhet dokumentuar. Do tu duhen të fakte atyre që do të vijnë pas nesh ndryshe nuk do ta besojnë. Shteti është lëshuar i tëri. Jo thjeshtë të vjedhë kush të vjedhë. Po hapen dyert e burgjeve…

Një gjyqtare në Krujë del mbi Gjykatën e Lartë dhe rrëzon dënimin me burgim të përjetshëm për një eksponent të botës së krimit. Një anëtar i bandës së Durrësit, ishte denuar me vendim të formës së prerë, nga Gjykata e Shkallës së Tretë, me burgim përjetë. Por pas 16 vjetësh, një gjyqtare, e “Shkallës së Katërt” në Krujë e hedh poshtë këtë vendim, duke e ulur dënimin në 25 vjet. Pastaj, një matematikë e thjeshtë: Ca vite amnisti, ca vite ia konverton në shërbim prove dhe dera e burgut u hap.

Tre javë më parë, një tjetër gjykatësve e “shkallës së katërt” në Elbasan liroi, në të njëntën mënyrë, një tjetër person të rrezikshëm, i dënuar me 25 vjet burg.

Ndërsa një tjetër të fortë, e nxjerrin me “leje” nga burgu për të pirë kafe në Bllok.

Por dje ama, shteti dërgoi në burg një fshatar në Arapaj të Durrësit, sepse po bënte një mur mbrojtës meqë kishte rrëshkitur toka e po i shembej shtëpia.

KLGJ duhet të ndalojë në këto raste skandaloze. Gjykatësve që nuk kanë kaluar ende vettingun u duhet ndaluar të marrin çështje me ndjeshmëri kaq të madhe.