Duke vijuar aksionin e nisur një ditë më parë, edhe këtë të enjte forcat e Policisë Bashkiake të Durrësit u përqendruan në bulevardin kryesor: nga pallati i kulturës deri te pallati i sportit, për të bërë të mundur lirimin e hapësirave publike.

Forcat e Policisë Bashkiake në bashkëpunim me ato të Rendit, kanë liruar sot trotuaret përgjatë bulevardit “Dyrrah”; te zona e njohur si ish-lulishtja “1 Maji” deri te pallati sportit.

Puna e Policisë Bashkiake ka qenë më efektive edhe për shkak të bashkëpunimit të vetë subjekteve dhe bizneseve, një pjesë e mirë e të cilave janë ndërgjegjësuar dhe kanë bërë lirimin vullnetar të hapësirave publike.

Kreu i Policisë Bashkiake Vasip Çopa, bën me dije për “DurrësLajm” se aksioni do të vazhdojë dhe në brendësi të lagjeve dhe rrugicave, dhe toleranca do të jetë zero për këdo që ndërmerr hapa të tillë në kundërshtim me ligjin.

Ndërkohë që Policia Bashkiake po ndërhyn për lirimin e hapësirave publike, Drejtoria e Shërbimeve në bashkinë Durrës në bashkëpunim me arkitektë dhe specialistë të fushës, po përgatisin një studim me standarde bashkëkohore, e cila do të përcaktojë rregullat dhe kushtet për të marrë leje për zënien e hapësirave publike.