Gjykata e Apelit në Durrës ka liruar Ardian Iljazajn, ish-drejtorin e Hipotekës në Durrës.

Apeli ka vendosur detyrim paraqitjeje për 35-vjeçarin, i cili u arrestua në fund të tetorit gjatë operacionit "Rodoni" për tjetërsimin e pronave në bregdet, bashkë me 18 punonjës të Hipotekës, ALUIZNI-t dhe ish-punonjësit e Komunës Ishëm.

Gjykata e Shkallës së parë vendosi "arrest me burg" për Iljazajn i cili dyshohej për veprat penale "Shpërdorim i detyrës" dhe "Falsifikimi i dokumenteve".

Mësohet se masa e sigurisë është ndryshuar dhe për shtetasin Renaldo Pasterma, 31 vjeç, ish-jurist në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës, i dyshuar për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Shpërdorimi i detyrës" (e kryer në bashkëpunim).

Gjithashtu është ndryshuar masa edhe për shtetasin  Albert Doda, 31 vjeç, përfitues, i dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” i  kryer në bashkëpunim.