Është liruar nga burgu kreu i FRPD-së, Arvit Bushati, pasi dhjetëra mbështetës të Partisë Demokratike protestuan para komisariatit të policisë së Shkodrës kundër ndalimit të tij.

Shoqërimi i Bushatit në komisariat u bë pas përfundimit të protestës kundër konstituimit të këshillit të ri bashkiak Shkodër, që u shoqërua dhe me përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Burimet e policisë thanë se shoqërimi i përfaqësuesit demokrat është bërë për kundërshtimin dhe goditjen e policisë gjatë përpjekjes së qytetarëve për të çarë kordonin e forcave të rendit, të cilat ishin vendosur te Buiblioteka e Universitetit "Luigj Gurakuqi" gjatë konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak.

Ish-deputeti  demokrat i Shkodrës, Bardh Spahia, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në momentin  që policia mori në makinë Bushatin reagoi ashpër për mediat, duke deklaruar se shoqërimi është bërë me urdhër politik. Sipas tij vendi është në prag të diktaturës.