Duke folur në aktivitetin e diplomimit të oficerëve të rinj të Policisë Kriminale dhe Patrullës së Përgjithshme, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se Policia e Shtetit duhet të rritet në cilësi dhe sasi.

Lleshaj tha se kjo detyrë nuk do t’i bëjë të rinjtë të pasur, por puna e tyre shpërblehet me një tjetër monedhë, atë të mirënjohjes.

“Për të përballuar me efikasitet misionin, policia shqiptare duhet të rritet në sasi dhe cilësi. Duhet të rritet dhe modernizohet. Programi i qeverisë parashikon progres në të dy këto vlerësime.

Të dashur studentë, ju jeni këtu për të siguruar të mirën publike, që është pikërisht siguria. Çmimi i saj është shumë i rëndësishëm. Të punosh në radhët e strukturave të sigurisë publike, përveç profesionalizmit, duhet dhe trimëri, kurajë, nder e moral i lartë. Kjo detyrë nuk mund t’iu bëjë të pasur, por puna juaj shpërblehet me një tjetër monedhë, me atë të mirënjohjes”, deklaroi Lleshaj.