Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i pranishëm në Dropull, ku inspektoi zyrën e aplikimeve biometrike, iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me negociata.

Lleshaj e cilësoi politik qëndrimin e Holanës kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndërsa shtoi se kriminaliteti që zhvillohet në Holandë është përgjegjësi e qeverisë së Holandës.

Pyetje: Holanda është një nga vendet që është kundër hapjes së negociatave për shkak të kriminalitetit. Çfarë përgjegjësie mbani ju si qeveri lidhur me këtë?

Ministri Lleshaj: Qeveria shqiptare mban përgjegjësi për kriminalitetin që zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kriminaliteti që zhvillohet në Holandë është përgjegjësi e qeverisë së Holandës që të adresohet në thelb.

Megjithatë, në rastet kur autorë shqiptarë kryejnë vepra kriminale në Holandë, ne ndiejmë një përgjegjësi për të bashkëpunuar me autoritetet holandeze, përgjegjësi të cilën e kemi ushtruar me shumë seriozitet. Mund t’ju them që edhe vlerësimet e palës holandeze, sa i përket bashkëpunimit tonë për të luftuar krimin, edhe në Holandë, janë mjaft pozitive.

Qëndrimi i tyre lidhur me negociatat është një qëndrim i pastër politik.