Një ditë pas publikimit në DurrësLajm të intervistës së prefektit Emiljan Jani, ku shpjegohen arsyet e bllokimit të autobuzëve nga Kosova për të kaluar në rrugën “Pavarësia” në plazh, ka ardhur reagimi i gazetarit kosovar Adriatik Kelmendi.

Në një postim të bërë në Facebook, Kelmendi e konsideron logjikë idiote, shpjegimin e prefektit Jani për arsyen pse janë ndaluar autobuzët me pushues kosovarë të kalojnë në rrugën kryesore të plazhit më të madh në vend.

Le t'i tregojë dikush këtij hajgarexhiu se ky vendim përveç se është diskriminim "racist" është edhe absurditet ekonomik”,shkruan gazetari Kelmendi.

Në të njëjtën kohë ai u bën thirrje pushuesve kosovarë që të bojkotojnë plazhin e Durrësit, por jo bregdetin e Shqipërisë.

“S'ka pse turistët nga Kosova t'ia marrin inat gjithë bregdetit të Shqipërisë për shkak se në krye të Durrësit paska qëlluar një kryetar trupeshk (po i përshtatet kjo "trupeshk" meqë po flasim për det)!”,përfundon reagimin e tij gazetari Kelmendi. 

Postimi i plotë i gazetarit Adriatik Kelmendi

Logjika idiote e këtij kryetarit të Durrësit:
Turistë nga Kosova ka shumë për këtë arsye autobusët nga Kosova duhet të mos lejohen në rrugën afër plazhit, kurse turistë të tjerë ka pak, për këtë arsye të gjithë autobusët me targa jokosovare do të lejohen!
Le t'i tregojë dikush këtij hajgarexhiu se ky vendim përveç se është diskriminim "racist" është edhe absurditet ekonomik.
Derisa të kthjellet ky farë kryetari, kosovarët mund t'i zgjedhin vendet e tjera nëpër bregdetin e Shqipërisë dhe t'ia bojkotojnë e lëjnë krejtësisht Durrësin atij për vete, e ai mund të kënaqet me pakicën – "turistët e huaj".
S'ka pse turistët nga Kosova t'ia marrin inat gjithë bregdetit të Shqipërisë për shkak se në krye të Durrësit paska qëlluar një kryetar trupeshk (po i përshtatet kjo "trupeshk" meqë po flasim për det)!