Presidenti Ilir Meta ka nderuar me titullin e lartë “Nder i Kombit” legjendën durrsake të portës, të madhin Sulejman Maliqati.

“Macja e zezë” është nderuar pasditen e sotme gjatë një ceremonie të zhvilluar në presidencë, ku është vlerësuar kontributi i dhënë nga portieri i famshëm i Lokomotikës dhe kombëtares shqiptare përgjatë viteve të karrierës futbollistike.

“Nga Presidenca. Sul Maliqati nga sot “Nderi i Kombit”. Tiranë: 30 korrik 2020″,– shkruan në rrjete sociale gazetari sportiv Bujar Qesja, ndërsa poston edhe një foto gjatë ceremonisë.

Më 1 gusht, legjenda Maliqati mbush 92 vjeç, por vazhdon të mbetet plot shëndet dhe mjaft aktiv, si në vitet e rinisë së tij.

Në nëntor të vitit të kaluar, për Sul Maliqatin u shfaq filmi dokumentar “Rikthim në Lajpcig”.  Filmi fokusohej në një moment të veçantë të karrierës së Maliqatit, vitit 1958, kur në Lajpcig, në Gjermaninë Lindore, ai do të fitonte nofkën që e ka shoqëruar jo vetëm gjatë karrierës së tij futbolliste, por edhe në ditët e sotme.

Në këtë turne që u zhvillua në Gjermaninë Lindore, Sul Maliqati u bë i pakalueshëm nga sulmuesit e skuadrave të famshme dhe për këtë shtypi i kohës e  krahasonte me një mace që nuk lë top të kalojë në rrjetë.