Vëllai i ish-presidentit Bujar Nishani, Ilir Nishani, makina e të cilit shpërtheu në flakë mëngjesin e sotëm në një ndër rrugët më të frekuentuara të Durrësit ka treguar momentet e para të ngjarjes.

Fillimisht 48-vjeçari ka dëgjuar një zhurmë plasësë dhe më pas ka parë flakët në automjet teksa ishte në ecje.

“Dëgjova një zhurmë plasëse, pash flakët nga mbrapa dhe më pas para në makinë.”, thotë ai, ndërsa më pas ka dalë menjëherë nga mjeti duke shmangur kështu dëmtimin e tij.

Sipas Nishanit, incidenti u shkaktua për shkak të një difekti në impiantin e benzinës.

“Thjesht difekt në impiantin e benzinës, asgjë më tepër.”

Ndonëse nuk e kishte menduar atë që ndodhi, këtë mëngjes drejtuesi i mjetit “Benz” ka lënë mbrapa një erë të rëndë benzine në garazh.

“Sot në mgjes kur dola nga garazhi lash mbrapa një erë të rëndë benzine.”, shprehet shkurtimisht ai.

Lidhur me ngjarjen, policia njoftoi më herët se nga hetimet paraprake dyshohet se mjeti ka marë flakë nga një shkëndijë elektrike.