Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka publikuar sot një foto nga brenda Spitalit Infektiv. Në një postim në Facebook, ministrja shkruan se në këtë spital janë 6 pacientë të intubuar, mes tyre dhe mosha të reja.

Më tej ajo u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë rregullat dhe të mos lejojnë që të afërmit e tyre të përfundojnë në spital dhe të rrezikojnë jetën nga COVID-19.

“SPITALI INFEKTIV Gjashtë pacientë, mes tyre edhe mosha të reja janë të intubuar dhe po luftojnë për jetën në spitalin infektiv, me përpjekjen e madhe të stafit mjekësor, në një betejë shumë të vështirë me virusin e rrezikshëm.

Mos e lejoni që ju apo një i afërmi juaj të përfundojë në spital dhe të rrezikojë jetën nga #COVID19  #RespektoniRregullat ↔️Mbaj distancën Vendos maskën Ruaj higjienën #RuaniShëndetin”, shkruan Manastirliu.

Ky reagim i ministres bëhet në një kohë kur gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 82 raste të reja me koronavirus. lajmi i mirë është se gjatë kësaj dite nuk ka pasur asnjë viktmë të shënuar, numri i të cilëve ka shkuar në 83 në total, që nga nisja e pandemisë.

Aktualisht janë të shtruar 84 pacientë në spital, 11 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze, ndërsa 6 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë. Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 3188 të infektuar.