Të tjera detaje dalin në dritë nga arrestimi i mjekut popullor në Lezhë, bashkë me nipin e tij, pasi akuzohet se mashtronte qytetarët me medikamente. Bëhet fjalë për shtetasin Frederik Frrokaj, 57 vjeç dhe nipin e tij, shtetasi H. Frrokajn, 30 vjeç, banues në Mamurras.

BalkanWeb raporton se mjeku popullor është vëllai i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Andon Frrokaj. Ndaj të arrestuarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Mashtrimi”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë e ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”,

57-vjeçari akuzohet se pasi bënte prodhimin e këtyre medikamenteve në kushte artizanale dhe jashtë kushteve laboratorike, në kushte shtëpie, ia jepte nipit të tij, pasi takonte personat e interesuar dhe ua shiste atyre kundrejt pagesës 20.000 lekë të reja, me premtimin se shëronin COVID-19.

Po ashtu, policia pohon se Frrokaj nëpërmjet rrjetit social ‘Facebook’ bënte thirrje për prodhim të substancave për kurimin e virusit nga një përzierje e acidit klorhidrik me H2O, duke pretenduar se me këtë përzierje kishte shpikur ilaçin për kurimin e këtij virusi.