Ka startuar sot edhe në Durrës ashtu si në të gjithë vendin provimi i parë i maturës, ai i gjuhës së huaj.

Maturantët e shkollave të mesme publike e jo publike të qytetit të Durrësit u janë drejtuar shkollave përkatëse ku studiuan tre vite, për të kryer këtë provim.

Provimi i parë ka shkuar qetësisht dhe nuk janë vënë re parregullsi, ndërsa "DurrësLajm" është ndalur në një prej shkollave të mesme të qytetit, ku ka ndjekur nga afër edhe procedurat. 

Duke qenë se në provimet e këtij viti korrigjimi i pyetjeve me alternativa do të bëhet elektronikisht, autoritetet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar udhëzimet se si maturantët duhet të plotësojnë testin, i cili do të shoqërohet edhe nga fleta e përgjigjeve. Plotësimi korrekt i kësaj flete është vendimtar për të siguruar pikët me të cilat vlerësohen pyetjet me alternativa.

“Në të katër provimet e Maturës Shtetërore 2019, maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara, përveç testit, duhet të plotësojnë dhe një fletë-përgjigje për pyetjet me zgjedhje (alternativa)”, bëjnë me dije ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit.

Sipas modelit të zbardhur, testi për secilën lëndë të detyruar dhe me zgjedhje do të ketë në total 34 pyetje, 20 prej të cilave do të jenë me alternativa, ndërsa pjesa tjetër me zhvillim.

Duhet të bëni kujdes në plotësimin e përgjigjeve të sakta në test, si dhe në fletën shoqëruese, sipas udhëzimeve të detajuara në vijim të shkrimit. Në të kundërt rrezikoni humbjen e pikëve.

Sa i takon korrigjimit të testeve, ekspertët e MASR kanë deklaruar më herët se secili nga provimet e detyruara, si dhe lënda me zgjedhje do të vlerësohen maksimalisht me 60 pikë, të cilat i korrespondojnë notës më të lartë.