Në aeroportin “Nënë Tereza” kanë mbërritur edhe 100 mijë vaksina kineze kundër COVID-19. Ato janë pritur në aeroport nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Ministrja Manastirliu ka thënë se për shkak të protestës së kontrollorëve të “Albcontrol”, plani i vaksinimit është vonuar me 48 orë.

Ajo shtoi se tashmë do të vijohet menjëherë me procedurat për shpërndarjen e dozave dhe deri në muajin maj synohet që të kemi arritur deri në 500 mijë vaksinime.

“Falë përpjekjeve madhore të Kryeministrit, ne arritëm që 100 mijë vaksina të Sinovac të vinin në Shqipëri, por pikërisht nga kjo vonesë, plani ynë i vaksinimit u shty me 48 orë, pasi duhen të gjitha procedurat që ne ishim përgatitur t’i kryenim ditën e djeshme, të spostohen në kohë. Imagjinoni çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishin bërë këto përpjekje madhore, nëse nuk do të arrinim t’i kishim këto vaksina në kohë, pasi dihet se çfarë lufte e madhe brrylash bëhet në rastet kur një shtet nuk është gati t’i marrë, ateherë një vend tjetër i merr. 

Ajo çfarë ka ndodhur është qe në kemi arritur ti kemi sot vaksinat dhe të vazhdojmë me planin e vaksinimit masiv. Na duhet koha e nevojshme për të kryer procedurat për të vijuar me hapjen e fashës së grupmoshës. Kemi arritur që në dy javë në 25 të vinin vaksinat 192 mijë dhe menjëherë të kemi edhe 100 mijë që i shërbejnë vaksinimit të popullatës. Synojmë të kemi kryer 500 mijë vaksinime në muajin maj”,- tha Manastirliu.