Situata e shkaktuar nga përmbytjet në njësinë administrative Sukth vijon të mbetet problematike.

Megjithëse duket se niveli i ujit ka nisur të ulet, shumë shtëpi, rrugë dytësore, toka bujqësore etj ndodhen nën pushtetin e ujit.

Ekipet zjarrfikëse ndodhen në terren prej shumë orësh tashmë, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar.

Gjatë paradites, “DurrësLajm” raportoi se ishin evakuuar nga zjarrfikësit 5 familje në Sukth, të cilët rrezikoheshin nga niveli i lartë i ujit në shtëpitë e tyre.

Dalja nga shtrati e lumit Erzen, pas reshjeve të dendura të një nate më parë shkaktoi problematika të shumta në njësitë administrative të bashkisë Durrës si Sukth, Katund i ri etj, por edhe në bashkinë e Shijakut.

Pushimi i reshjeve gjatë ditës së sotme pritet të përmirësojë disi situatën në vijim, megjithëse gjatë natës parashikohet rikthimi i reshjeve.

Krahas zjarrfikësve në terren ndodhen edhe përfaqësues të autoritetit vendor dhe policisë së shtetit. Pas uljes së nivelit të ujit duhet të bëhet një bilanc i dëmeve të shkaktuara, sidomos në kulturat bujqësore që sot ishin tërësisht nën ujë.

Ndryshe nga përmbytjet e datave 8-9 janar, kur bashkia dhe prefektura Durrës bënë garë njëri me tjetrin se cili prej tyre do të raportonte më parë për punën që po bëhej në terren dhe dëmet e shkaktuara nga dalja nga shtrati i lumit Erzen dhe Ishëm, gjatë ditës së sotme mungonin raportimet zyrtare qoftë nga Shtabi i Emergjencës pranë Prefekturës, qoftë nga ai i pushtetit vendor.