Megjithëse qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, kjo e drejtë i është mohuar mbi 23 mijë personave vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat 23,400 shqiptarëve i është refuzuar hyrja në vendet e zonës Schengen vitin e kaluar. Ky numër është rreth 5% i totalit të gjithë qytetarëve të vendeve jashtë BE të cilët kanë kërkuar të hyjnë në zonën Schengen. (Sipas Eurostat 471,200 personave i është mohuar hyrja në zonën Schengen në vitin 2018).

Pika kufitare ku janë bllokuar më shumë qytetarët shqiptarë është kufiri me Greqinë pasi 11,075 personave ju është mohuar hyrja. Në vend të dytë është Kroacia e cila ka refuzuar hyrjen e 2,670 shtetasve shqiptarë. Më pas vijnë Mbretëria e Bashkuar me 1,455 refuzime dhe Franca me 1,450.

Që prej vitit 2011 shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza në hapësirën Schengen pasi qeveria shqiptare arriti marrëveshjen e liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian.

Së fundmi Komisioni Europian refuzoi të shqyrtojë kërkesën e Parlamentit Holandez për rivendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë për arsye të rritjes së numrit të shqiptarëve të përfshirë në krimin e organizuar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat  vitin e kaluar 602 mijë shtetas të vendeve të BE u gjetën se banonin ilegalisht në një vend tjetër brenda BE. Nga ana tjetër 480 mijë persona u urdhëruan për tu larguar nga BE.

Sa i përket numrit të shtetasve jo nga vendet e BE të cilëve ju refuzua hyrja në hapësirën e lëvizjes së lirë gjysma ishin nga Spanja, rreth 230,500 të ndjekur nga Franca me 70.400 perona.