Zbardhet rendi i ditës i mbledhjes së parë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e cila do të zhvillohet në orën 11:00 të së mërkurës në ambjentet e ish-KLD-së.

Mbledhja do të drejtohet nga juristja më e vjetër jo prokurore Nurihan Meta.

Pika e parë e rendit të ditës është miratimi i rregullores për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të KLP-së.

Sipas ligjit, kryetari duhet të jetë në radhët e anëtarëve jo magjistratë, ndërsa nënkryetari nga radhët e ish-prokurorëve.

Më pas KLP ka si pikë të tretë të rendit miratimin e vendimit deklarues mbi datën e krijimit të Këshillit.

Ndërsa dy pikat e tjera janë hedhja e shortit për caktimin e anëtarëve jo prokurorë dhe prokurorë që do të shërbejnë me një mandat tre vjeçar.

Anëtarët e KLP-së u zgjodhën pas votimit të të gjithë prokurorëve në mbledhjen e bërë me 11 dhjetor, të cilët zgjodhën 6 emra që do ti përfaqësojnë në Këshill.

Dita e hënë ishte afati i fundit i ankimimit nga kandidatët që mund të kishin kontestime, por deri ditën e djeshme në Gjykatën Administrative të Apelit nuk u ankimua asnjë padi.

Ndërkohë një ditë më pas, më 20 dhjetor, po në këtë ambient do të mblidhet Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili pas konstituimit do të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarin.