Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dr. Robert Gajda ka mbajtur sot një ligjëratë të hapur në universitetin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, ku ndau me studentët e Fakultetit të Shkencave Politike – Juridike dhe të pranishm të tjerë ide dhe pikëpamje rreth temës “Mbrojtja nga diskriminimi”.

Ligjërata u përqëndrua në çështje me rëndësi si:

  • Prezantimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi
  • E drejta Sociale, parimi i barazisë, (Garantimi i të drejtave të barabarta është detyrë e tërë shoqërisë dhe nënkupton mënjanimin e pengesave në realizimin e barazisë gjinore)
  • Hate speech (gjuha e urrejtjes) dhe liria e fjalës.

Gjatë bashkëbisedimit, Gajda bëri një analizë të përgjithshme të konceptit të diskriminimit për shkaqe të ndryshme dhe të situatës aktuale në Shqipëri.

Ai u ndal në trajtimin e legjislacionit ndërkombëtar dhe veçanërisht atij kombëtar duke analizuar dispozitat e Kushtetutës dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi lidhur me këtë fushë.

Ndër të tjera, Gajda shpjegoi procedurat që duhet të ndjekë çdo qytetar kur përballet me raste të ndryshme diskriminimi duke theksuar që çdo individ duhet patjetër t’i drejtohet Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në mënyrë që problemet e ndryshme të mos ngelin pa zgjidhje.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi përmendi edhe një shumëllojshmëri masash që janë marrë ndaj subjekteve të ndryshme për shkak të diskriminimit të qytetarëve të ndryshëm në fusha si arsimi apo shëndetësa. Krahas kësaj, ai evidentoi edhe rolin e madh që ka luajtur dhe do të luajë shoqëria në reduktimin sa më të madh të këtij problemi.

Aktiviteti u ndoq me vëmendje të veçantë dhe u mbyll me pyetje të shumta nga studentët dhe të pranishmit. Në fund të tij, Gajda dhe stafi i tij dhuruan tekste informues dhe studimorë për Bibliotekën e Universitetit.