Mbyllet fushta "Tetori rozë" në qytetin e Durrësit me një takim ndërgjegjësues të mbajtur në Këshillin e Qarkut në kuadër të muajit të kancerit të gjirit, organizuar nga Drejtoria Rajonale e FSDKSH-së, Spitali Rajonal Durrës dhe Këshilli i Qarkut.

Në këtë aktivitet mori pjesë zv.ministrja e Shëndetësisë-Mira Rakacolli, Drejtoresha Rajonale e OSHKSH-mjekja Manjola Kristo, Drejtoresha e FSDKSH Durrës-Natasha Paço, Drejtoresha e re e NJVKSH-Aurora Hyka e cila zëvendësoi Kristaq Hutën, deputetet e Qarkut Durrës; Klodiana Spahiu dhe Milva Ekonomi, Kryetari i Këshillit të Qarkut-Alfred Mullaraj si dhe gratë e Këshillit Bashkiak Durrës.

Nga Durrësi, zv.ministrja Rakacolli bëri publike edhe politikën e re të Ministrisë së Shëndetësisë e cila do të fillojë së shpejti në mbarë vendin; programin e detyruar të kontrollit të kancerit të gjirit.

"Për grate mbi 50-vjeç do të ketë një urdhër të detyruar për kontrollin e gjirit, në mënyrë që ky kancer të parandalohet dhe shumë familje, shumë gra të mos përjetojnë ato probleme të cilat ju në praktikën tuaj të përditshme i hasni gjithmonë", tha ajo.

Ndërsa deputetja Ekonomi kishte një thirrje për të gjitha grate e zonave rurale; që duhet të bëjnë mamografi edhe ato.

"Deri në ditën e sotme, janë bërë rreth 700 mamografi, kontrolle të grave në spitalin e Durrësit, një shifër e madhe në krahasim me vitin e kaluar", shprehet drejtoresha Rajonale e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit të Shëndetit, Natasha Paço.

Doktoresha Manjola Kristo tha se 1 në 8 gra preket nga kanceri i gjirit ndërsa grupmosha më e rrezikuar është ajo mbi 50 vjeç.

Por kësaj sëmundjeje nuk i shpëtojnë as meshkujt, pasi siç shprehet mjekja, në Durrës janë regjistruar tre raste ku kanceri i gjirit ka prekur meshkuj.
Muaji tetor është një muaj edhe reflektimi për përmirësimin e politikave locale për reduktimin e rasteve me kancer gjiri.

G.D.