‘Me dyer të hapura’: Banorët e Durrësit rikthehen në shtëpitë e rrënuara nga tërmeti

17/02/2020 - 20:08

Dera e apartamentit të Rakip dhe Dile Rekës qëndron gjithmonë hapur. Çifti jeton në katin e dytë të një pallati pesëkatësh në lagjen 7 të qytetit të Durrësit, i cili është shënuar me të verdhë si i pabanueshëm deri pas riparimit.

Burrë e grua, respektivisht 75 dhe 62 vjeç, megjithëse kanë aplikuar për bonus qiraje dhe kanë arritur të bëjnë një kontratë, jetojnë që prej tërmetit të 26 nëntorit nën suvatë e rëna dhe muret e plasaritura, pasi askush nuk u ka kthyer përgjigje. Dera e hapur dhe lutjet janë e vetmja masë sigurie që ata mund të marrin për momentin.

“Ku të shkojmë tjetër? Bëra ato dokumentat që duheshin, bëra një kontratë qiraje, i dorëzova të gjitha, por pa paguar 20 000 mijë lekë, nuk na i japin çelësat e shtëpisë, ndaj dhe ne ngelëm këtu,” thotë gruaja.

Vonesa e bonusit, pamundësia për të gjetur shtëpi me qira dhe shtrenjtimi i çmimeve kanë detyruar dhjetra familje në Durrës që të kthehen në godinat gjysmë të rrënuara që mbetën të shkreta pas tërmetit të 26 nëntorit, që detyroi zhvendosjen e 17 mijë personave.

Megjithë rrezikun dhe dyshimet se gati gjysma e viktimave të tërmetit të fundit (në Thumanë) erdhën për shkak të pallateve të dëmtuara nga lëkundje më të hershme sizmike, dhjetra familje janë detyruar të kthehen edhe në godina të klasifikuara me dëmtime të shkallës 4 e 5, të cilat konsiderohen të pariparueshme.

Bashkia e Durrësit tha se kishte bërë lajmërime të herëpashershme për rrezikun që kishin këto godina dhe se ishin vendosur shenja, por në një njoftim për shtyp të bërë publik së fundmi, ajo pranoi tërthorazi se procesi i dhënies së bonusit ishte i ngadaltë dhe se nga 6 mijë aplikime vetëm 2200 familje kishin përfituar. Bashkia thotë se kishte hasur në një mori problemesh, por po përpiqej t’i zgjidhte ato, ndërsa apeloi që qytetarët të aplikonin për bonuse.

Nga hotelet në rrënoja

Qeveria u premtoi fillimisht familjeve të prekura strehim në hotele me 5 yje deri në zgjidhjen e problemeve të banesave, por prej fundit të janarit, mjaft nga banorët që po lënë hotelet janë detyruar të kthehen në shtëpitë e rrënuara.

Në pallatin 5-katësh ku jeton familja Reka, pavarësisht dëmtimeve që janë prezente në çdo kat dhe apartament, katër familje janë rikthyer për të jetuar dhe disa të tjera po përgatiten, pasi nuk kanë gjetur strehë tjetër.

Jonida Kajana, e cila jeton në katin e parë të këtij pallati, thotë se megjithëse kanë përfituar bonusin, ata nuk mund të largohen nga shtëpia e rrënuar. Ajo së bashku me vëllanë mbajnë mbi supe problemet që i ka lënë pas tërmeti, ndërsa në shtëpi kanë dy prindërit e sëmurë.

Kajana tregon se pas tërmetit shkoi në dy hotele, pasi i vendosën sa tek njëri, tek tjetri. Gjatë këtyre muajve, e ëma pësoi një paralizë dhe ndodhet në shtrat, ndërsa vëllai që punon ku të mundet, nuk arriti që të sigurojë paratë e rëna dakort për një banesë me qira.

“Pasi u larguam nga hoteli, në mes të muajit janar siguruam një kontratë qiraje, por mamaja u sëmur dhe lekët nuk na mjaftuan që ta paguanim vetë, ndaj u rikthyem në banesën tonë me gjithë frikën dhe dëmtimet që shtëpia ka nga të gjitha anët,” thotë vajza.

Vetëm në javën e parë të muajit shkurt, familja arriti që të marrë 20000 mijë lekë bonus, por thonë se ato janë të pamjaftueshme për të marrë banesën me qira dhe përballuar edhe shpenzimet e shëndetit.

“Të paktën duhet që të paguajmë 500 mijë lekë për dy muaj parapagim, pastaj dhe një muaj pagesë për muajin, sepse ndryshe askush nuk të ofron shtëpi këto ditë ku qiraja ka shkuar 20000-25000 mijë lekë,” thotë Kajana.

Ngjashëm ndodh edhe në një bllok pallatesh në zonën e quajtur “Ujësjellësi” në lagjen Nr.4. Pallati me numër 1046 në këtë lagje, u klasifikua si i pabanueshëm për shkak të dëmtimeve dhe një tabelë e vendosur nga Instituti i Ndërtimit Teknik në katin e parë, tregon se aty ndalohet rreptësisht hyrja.

Por nga rruga mund të shikosh rroba të hapura në telat e ballkoneve, që janë shenja e parë që në këtë pallat ka banorë që jetojnë.  Të paktën tre familje janë rikthyer këtu me gjithë rrezikun që pallati ka.

“Janë tre-katër familje që janë rikthyer, se nuk kanë se ku të shkojnë tjetër,” thotë një burrë rreth të 70-ve që e gjejmë, ndërsa ndjek punimet për riparimin e dëmeve në apartamentin e tij në një pallat përballë.

“Një familje është në katin e tretë, një në të gjashtin dhe një në të shtatin, aty po rrinë”, shton burri ndërsa heq disa mbetje inertesh nga sheshi i pallatit.

Pallati duket i dëmtuar rëndë, muret kanë rënë në disa vende, ndërsa në shkallë e sheshpushime ka suva dhe tulla. Bashkim e Lumturie Dema, dy pensionistë që kanë zgjedhur të kthehen aty, thonë se jetojnë çdo ditë me frikë.

“Si nuk kemi frikë, kemi shkuar tek bashkia, na premtuan që do rregullohet çdo gjë shumë shpjet, ndaj dhe ne çdo ditë rrimë me shpresë, sepse shtëpi me qira nuk gjejmë dot ne se jemi me pensione dhe ato s’na mjaftojnë për të jetuar”, thotë Lumturie Dema.

Ata që rikthehen thonë se nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje tjetër. Elton Ferizi, i cili sëbashku me bashkëjetuesen e tij, Vioxheta, u rikthyen të banojnë në pallatin e tyre, pasi mbetën pa asnjë mundësi.

“Shkuam tek miqtë tanë, pasi dhe familjarët i kemi larg, disa ditë qëndruan në hotel, shtëpi me qira nuk gjetëm dot se janë shumë shtrenjtë dhe nuk bëjmë dot kontratë dhe u rikthyem këtu në shtëpitë tonë, sepse nuk shohim asnjë zgjidhje”, thotë Eltoni për BIRN.

Çifti i ri menjëherë pas tërmetit u vetofruan si vullnetarë, duke u ardhur në ndihmë njerëzve të sëmurë dhe të moshuar. Ata tregojnë se gjatë kësaj kohe jeton tek të njohur, ndërsa ishin në pritje që pronari i pallatit të nisë riparimet, pasi pallati është  i ri, por pamë se asgjë nuk po ndryshonte ndaj u rikthyen në apartamentin e tyre dhe pse është vlerësuar si i pabanueshëm.

“Tërmeti na solidarizoi dhe ne të rinjtë, pas pune si operator shitjesh unë së bashku me Vioxhetën shkonim dhe jepnim kontributin tonë si vullnetarë çdo ditë, por sot gati tre muaj pas tërmetit po jetojmë vetë mes rrezikut, pasi nuk kemi se ku të shkojmë,” thotë Eltoni. Ai tregon se nuk kanë asnjë informacion se kur do të nis të riparohet pallati.  Në të njëtin pallat, ka dhe tre famije të tjera që janë rikthyer për të jetuar, të cilat ndajnë të njëjtat halle.

Mungesa e dokumenteve

Ndërkohë për të tjerë banorë, tërmeti ka nxjerrë në skenë halle të vjetra. Një pjesë e tyre kanë jetuar në shtëpi pa pasur hipotekë dhe mungesa e dokumentacionit është kthyer për t’i penalizuar për së dyti.

Në qendër të qytetit të Durrësit, në lagjen me numër 3, vetëm pak metra larg institucioneve të qeverisjes vendore, në një zonë me banesa private dhe që konsiderohet si lagje e vjetër durrsake, një banesë një katëshe është konsideruar si e pabanueshme dhe e rrezikshme.

Çatia e banesës ka pësuar një çedim të gradës së rëndë dhe në muret e jashtme të shtëpisë, ndodhen dy tabela të vendosura nga bashkia Durrës dhe që sipas Insitutit Teknik të Ndërtimit ndalohet rreptësisht hyrja në objekt, pasi është në rrezik shembje.

Dallëndyshe Lila, rreth të 30-ave, e cila jeton në këtë banesë së bashku me të atin dhe vëllanë, thotë se u rikthye të jetonte në këtë shtëpi me gjithë rrezikun që ajo mbart, pasi qëndroi deri në 20 dhjetor në hotel dhe nuk mundi të sigurojë bonus për shkak të problemeve të pronësisë mbi banesën që nuk figuron në emër të kryefamiljarit, babait të saj.

“Pas tërmetit na çuan në hotel dhe ndërsa qëndronin atje nisëm kërkimet për një shtëpi me qira, por mësuam se nuk fitonim bonus, banesën nuk e paguajmë dot me të ardhurat që kemi sepse duheshin të paktën 50 000 mijë lekë për dy muajt e parë dhe u rikthyem në shtëpi,” thotë Dallëndyshja ndërsa përfundon nderjen e rrobave në telat e vendosur pikërisht në murin ku paralajmërohet rreziku.

Dallëndyshja është e frikësuar, por nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. “Shkoj tek bashkia, na thonë që do t’ju shikohet banesa dhe mundësia se çfarë do të vendoset për të, lekë nuk kemi që të lëvizim, ndaj kemi ngelur këtu me lutjet që Zoti të na ruajë,” thotë ajo.

Ndërkohë, të tjerë banorë që kanë mundur të gjejnë shtëpi me qira dhe kanë paguar deri në 500 mijë lekë si garanci, thonë se shpejt do jenë të detyruar t’i braktisin e të kthehen në godinat e dëmtuara.

Agim Berisha, pensionist arriti së bashku me gruan që të sigurojë një banesë një katëshe me qira, në një lagje tjetër të qytetit dhe me kursimet e tyre dhe bonusin e përfituar për muajin dhjetor, ka arritur që të paguajë dy muaj parapagim në banesën ku jeton. Megjithatë, ai thotë se nuk e di nëse do mund të paguajnë për muajin shkurt, pasi përveç vonesave të bonusit, është detyruar të paguajë fatura uji e dritash për të dy shtëpitë atë të prishurën dhe atë me qira.

“Atje ku po jetojmë na kërkojnë lekët, bashkia me zor na lëvroi vetëm bonusin e një muaji, ndërsa sot që vij këtu (te shtëpia e dëmtuar) shikoj se na kanë faturuar ujë dhe dritat, ndërkohë që ne paguajmë atje ku jemi me qira, dhe nuk e kuptoj se sa herë duhet që të paguajnë”,  thotë Berisha për BIRN.

Riparime të ngadalta

Me probleme që nuk u ngjajnë njëra tjetrës, banorët e pallatit 5 katësh të lagjes 7 në Durrës  kanë gjetur një mënyrë për t’u ngushëlluar. Pavarësisht nëse janë kthyer të jetojnë në godinë apo janë me qira diku pranë, ata kthehen çdo ditë dhe bisedojnë në sheshpushimin e ndërtesës, ndërsa presin që të nisë puna për riparimin e pallatit.

Pallati, siç thonë ata, është klasifikuar tek 500 objekte që bashkia e Durrësit premton se do t’i riparojë. Sipas bashkisë, bëhet fjalë pallate të ndërtuara para vitit 1993.

Në të njëjtën situatë janë edhe Bashkim dhe Lumturie Dema që jetojnë në pallatin Nr.1046 në lagjen Nr.4. “Ashtu si pallati jonë dhe shtëpitë e vajzave na janë dëmtuar, jemi në një hall të madh, qyteti është në një hall të madh sa vetëm Zoti do na shpëtojë nga kjo që na zuri,” thotë Bashkimi për BIRN.

Pas tërmetit ata u sistemuan si mundën, nëpër të afërm, por tashmë kanë një muaj që janë rikthyer dhe sytë i kanë tek bashkia për nisjen e punimeve. “Ka gati dy muaj që po punohet tek pallati ngjitur me këtë tonin. Kur nisi puna atje, ne u gëzuam sepse menduan që do na vinte radha dhe për pallatin tonë, por siç po shohin, puna ka ngelur atje, nuk dimë se ç’bëhet”, thotë burri.

Fillimin e riparimeve pret edhe fiqinja e tyre, 76-vjeçarja Leonora Çoba, e cila u kthye pasi qëndroi tre muaj të fëmijët në Itali dhe u kthye me shpresë se punët do të viheshin në vijë. Ajo tregon se ka muaj që sheh riparimet në pallatin fqinj, por puna ecën shumë ngadalë.

“Fëmijët kanë lenë djersën këtu me rregullime dhe me plaçkë, ndaj mendova që do duhej të vinin të na riparonin dëmet, apo të na bënin verifikim për to. Por, kur pashë se pallati ishte siç e kisha lënë pas tërmetit dhe akoma punohet tek pallati tjetër që ka nisur punën dy muaj më parë, kam ngelur e zhgënjyer,” thotë Leonora.

Pas kthimit nga Italia, ajo nuk arriti që të gjejë një banesë me qira, ndonëse e di që mund të aplikojë ende për një bonus qiraje. “E dini se sa kanë shkuar qiratë? 200-250 mijë lekë (të vjetra) në muaj dhe të gjithë kërkojnë dy- tre muaj parapagim, ndaj ngela këtu”, thotë ajo.

76 vjeçarja jeton e vetme në apartametin e saj dhe ashtu si të tjerë të rikthyer, mban derën hapur si të vetmen masë sigurie që ka në dorë.  “Sa herë që ka lëkundje, unë dal menjëherë jashtë,” përfundon ajo.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

“Liria e shtypit nuk duhet të minohet nga masat kundër dezinformimit në lidhje me COVID-19”.

Ministria e Shëndetësisë informon se, në spitalin Infektiv ka ndërruar jetë një pacient 75-vjeçar.

Arrestohet drejtori i ‘Burgut 313’, Eduard Struga, raporton "BalkanWeb".

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton shtetasit shqiptarë në Poloni se për shkak të situatës aktuale me Covid-19, autoritetet

Nga 27 rastet e reja me koronavirus në vend, 12 prej tyre janë nga Shkodra, duke e bërë kryeqendrën e Veriut të tretën pas Tiranës e Durr

Duke filluar nga nesër në orën 13:00 deri të hënën në orën 5:00, gjithçka do të jetë e mbyllur, dhe asnjë kalimtar nuk do të lejohet të d

Bashkimi Europian përmes zyrës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka akorduar 4 milionë euro në fushën e shëndetësisë në luftën kundër C

Policia e Shtetit vijon aplikimin e gjobave për të gjithë ata qytetarë që nuk zbatojnë rregullat kufizuese të vendosura nga shtetit për p

Ministrja e Ekonomisë së Financave, Anila Denaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të aplikojnë për pagesën e papunësisë në kohën e COVID-19