Si çdo të enjte pritet të nisë seanca plenare, por këtë herë në ambientet përballë godinës së Parlamentit do të ketë një tubim studentësh në vijim të protestave për plotësimin e 8 kërkesave të tyre.

Me libra e Kushtetutë në duar, studentët nisën marshimin nga sheshi "Nënë Tereza".

Dhjetëra studentë kanë qëndruar edhe në mbrëmje para Kryeminstrisë dhe Ministrisë së Arsimit, ku kanë ndezur edhe zjarre për t’u ngrohur. Disa kanë kaluar natën sërish para Kryeminsitrisë.

Një ditë më parë Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzoi në Kuvend një kërkesë për ndryshimin e ligjit për buxhetin, që sipas saj do t’u japë zgjidhje menjëherë kërkesave të studentëve.

Gjithashtu, dje u mësua se kryeministri Rama ka ngritur një grup pune për përgatitjen e dokumenteve në lidhje me kërkesat e studentëve, por ritheksoi se duhet dialog. Si hap i parë është shkarkimi i anëtarëve të qeverisë në borde, si dhe të drejtorëve të konvikteve.

Ndërkohë, qeveria miratoi në fazën e tretë, marrëveshjen me qeverinë gjermane për rikonstruksionin e konvikteve të studentëve në Tiranë, me vlerë 3 milionë euro.