Një 40-vjeçar nga Shijaku që ka qenë duke dhuruar ‘spektakël’ me motor uji në zonën e Currilave është kapur në flagrancë nga policia e Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme më 27 gusht, kur të gjithë pushuesit dynden në këtë zonë kaq të frekuentuar për të kaluar ditën e diel.

Sipas policisë, shtetasi A.A, vjeç 40, ka qenë duke lundruar me shpejtësi me motorin e tij të ujit me mbishkrimin “Jamaha”, duke u kthyer në një rrezik për plazhistët që ndodheshin në det.

Pasi është ndaluar nga uniformat blu, u bllokua edhe motori i ujit në cilësinë e provës materiale për mungesë të matrikullimit ose regjistrimit.

Çështja ndaj 40-vjeçarit i kaloi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, referuar ligjit nr. 8663 datë 18.09.2000, për mjetet lundruese.

Edhe pse autoritetet i kanë mbledhur disa herë motorët e ujit, këto mjete lundruese që shërbejnë për argëtimin e të rinjve në plazh mbeten sërish burim aksidenti.