Fundjava e parë e muajit qershor ka çelur sezonin veror në Durrës. Kjo e premte ka drejtuar drejt plazheve të Durrësit qindra qytetarë të moshave të ndryshme, të cilët i gëzohen hapjes së sezonit.

Temperaturat që u rritën këtë fundjavë, favorizuan të apasionuarit pas detit, të cilët gjetën të hapur të gjithë operatorët turistikë e gati për të mirëpritur pushuesit.

Nga zona e Shkëmbit të Kavajës e deri në veri të Durrësit në Kallm, të gjithë hotelet por edhe bare e restorante, kanë pritur me padurim përmirësimin e kushteve atmosferike. Operatori i “DurrësLajm” sjell edhe pamjet e para të pushuesve që lahen në det këtë të premte.

Ashtu si pushuesit që kanë rritur kërkesat e tyre në drejtim të cilësisë së shërbimit, hotelerisë dhe kuzhinës, ashtu edhe operatorët turistikë kanë punuar në maksimum për të sjellë nga viti në vit shërbime të mira dhe cilësore në njësitë e tyre.

K.H.