Burrat në Durrës janë dhunuesit më të mëdhenj ndaj grave në rang republike. Shkaqet janë komplekse. Kryesore renditen gjendja ekonomike, bixhozi dhe tradhëtia. 32 nga 10 mijë gra banore të Durrësit kanë renë pre e dhunës në familje gjatë vitit 2017. Gratë kanë denoncuar në polici burrat për ushtrim dhune.

Denoncimet për dhunën në familje në policinë e Durrësit janë të përditshme, ndërsa pjesa më e madhe vjen nga zonat periferike.

Por avokatët që ndjekin këto çështje në gjykatën e Durrësit, vërejnë se shumë gra i falin burrat në seancën e pajtimit dhe bien sërish pre e dhunës. I këtij mendimi është avokati Krenar Bardhi, i cili thotë se burrat dhunues mbeten të tillë deri në fund të marrëdhënies me gratë e janë përsëritës të së njëjtës vepër penale.

Pas Durrësit, Vlora është qarku i dytë ku gratë dhunohen më shumë, ndërsa në Tiranë të dhënat flasin për 26.3 raste në 10 mijë banorë .Dibra dhe Kukësi janë qarqet që kanë nivele të ulëta të dhunës ndaj grave me përkatësisht 8.2 dhe 7.6 gra për 10 mijë banore.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se qarku bregdetar ka 11 raste mbi mesataren kombëtare që ndalet në shifrën 22.7 gra të dhunuara.

K.H.