Këto pamje nuk kanë nevojë për shumë koment… Tre fëmijë të vegjël të futur në bagazhin e një “Benz”-i të tejmbushur, që lëviz ditën për diell, në një aks rrugor të frekuentuar si ai i Porto Romanos në Durrës!

Drejtuesi i automjetit, që me gjasë duhet të jetë babai apo një i afërm i këtyre fëmijëve, me papërgjegjshmëri të plotë ka gjetur si zgjidhje ‘ideale’ futjen e fëmijëve në bagazh, pasi brenda në mjet nuk kishte mjaftueshëm vend për ta!

Për të kaluar një ditë pushimi në plazh, papërgjegjshmëria e një momenti mund të kthehet në tragjedi, pasi fëmijët rrezikojnë jetën e tyre duke udhëtuar në këtë mënyrë të çuditshme e të frikshme.

Çudira të tilla mund të shohësh vetëm në rrugët shqiptare, ku në jo pak raste janë vërejtur persona që hipin sipër makinës apo dalin jashtë xhamave teksa mjeti është në lëvizje, duke mos menduar seriozisht për jetën e tyre.

Këto raste konstatohen në ato akse ku mungon kontrolli nga ana e autoriteteve përkatëse apo prania e uniformave blu, siç është dhe rruga “Aleksandër Goga” që të çon në Porto-Romano, apo dhe më tej deri në Bisht Pallë.

S.L.