Alvini rikthehet në shtëpi. Merr fund vuajtja dhe ankthi për vogëlushin shqiptar Alvin Berisha, që mëngjesin e sotëm është bashkuar mes lotësh dhe emocionesh me familjen, babanë dhe dy motrat që po e prisnin në aeroportin e Romës. Lutjet e tyre u dëgjuan edhe Alvini është në krahët e tyre. I ati që më në fund pas shumë kërkimesh dhe lutjeve tashmë do ta ketë pranë i puth dorën të birit, ndërsa falënderon autoritetet.

11-vjeçari iu dorëzua familjes nga punonjësit e Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe. Para dy netësh 11-vjeçari shqiptar u transportua në Damask, ndërsa ditën e djeshme në ambasadën italiane në Liban dhe sot u bashkua me familjen në Romë. Operacioni për shpëtimin e Alvinit  u krye nga Gjysmë Hëna e Kuqe siriane dhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar, ndërkohë që kanë qenë në kontakt me autoritetet italiane dhe ato shqiptare të niveleve më të larta.