Temperaturat e larta, deri në 29 gradë, të pazakonta për muajin tetor, u kanë dhënë mundësi shumë durrsakëve, të dashuruar me detin, të vazhdojnë normalisht plazhin.

Operatori i DurrësLajm sjell pamje filmike nga shëtitorja “Taulantia”, ku duken plazhistë të shumtë që bëjnë banjo dielli. Nuk mungojnë edhe guximtarët, që kridhen në det dhe notojnë për minuta të tëra.

Shumë prej tyre tregojnë se e kanë vazhduar plazhin përgjatë gjithë kësaj kohe, duke përjashtuar vetëm ditët me shi.

Ndryshimet klimaterike kanë bërë që stina e verës në Durrës të zgjatet në kohë, aq sa dhe muaji shtator është preferuar nga shumë shqiptarë, por edhe pushues nga Kosova e Maqedonia apo turistë të huaj për të bërë plazh.

Moti i mirë që parashikohet gjatë gjithë kësaj jave do t’u japë mundësi të apasionuarve ndaj detit të vazhdojnë frekuentimin e vijës sonë bregdetare.