Më 29 maj mbyllet viti shkollor, një vit ky i pazakontë, i zhvilluar muajt e fundit online, për shkak të masave parandaluese për prekjen nga Covid-19. Nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e 11-të vazhdojnë mësimin online, ndërsa përjashtim bëjnë vetëm maturantët, të cilët janë rikthyer në bankat e shkollës më 18 maj e do vazhdojnë deri në 5 qershor, për t’iu nënshtruar provimeve të maturës nga 8 deri në 18 qershor.

Por si vlerësohet ky 2 mujor i zhvillimit të mësimit online?

Drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti, deklaron se falë përkushtimit të të gjithë stafit mësimor, ky proces ka rezultuar një sukses.

“Në fillim kishim vështirësi, pasi ishte një gjë e re, e pa aplikuar më parë. Por e them me bindje të plotë, që falë përkushtimit të mësuesve dhe nxënësve, procesi ka marrë vlerësime maksimale”,– tha drejtoresha e ZVA Durrës, për DurrësLajm.

Sipas drejtoreshës Matohiti, sondazhet e bëra me prindërit dhe nxënësit kanë nxjerrë në pah rezultatet e rëndësishme që ky proces arriti, megjithëse ishte një risi për vendin tonë, që nuk ishte testuar ndonjëherë.

Nga 28.938 nxënës të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm që ka rrethi i Durrësit, rreth 28.700 prej tyre kanë ndjekur mësimin online. Ndërsa pjesa tjetër e nxënësve, që për shkak të arsyeve të ndryshme, nuk mund të ndiqnin mësimin online, e kanë ndjekur atë përmes platformës RTSH.

“Për pjesën tjetër të nxënësve, rreth 200, është bërë i mundur komunikimi i vazhdueshëm me mësuesit kujdestarë dhe ndjekja e platformës RTSh, për të ndjekur aty mësimet”,- thotë Matohiti.

Tashmë kur kanë mbetur vetëm 3 ditë nga mbyllja e vitit shkollor, agjencia e sigurimit të cilësisë së arsimit parauniversitar ka përgatitur një udhëzuar për vlerësimin dhe mbylljen e viti shkollor, ku përcakton se nota përfundimtare do të përqendrohet në rezultatet e nxënësve para mbylljes së institucioneve arsimore në 9 mars. Ndërsa mësimi online do të ketë vlerën e një note.

M.B.