Mijëra qytetarë në Tiranë kanë marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt sheshit “Nënë Tereza” pas lajmit që ka tronditur opinionin publik për përdhunimin e 15-vjeçares në Babrru. “Për fëmijërinë e vjedhur”, “Mbroni vajzat, jo pedofilët’, “Pse nuk raportojmë”, “Marshoj për vajzën dhe mbesat e mia” ishin disa nga pankartat që qytetarët mbanin në duar.

Protestës i është bashkuar edhe deputetja Rudina Hajdari, dhe këngëtarja Aurela Gaçe. Mesazhi i kësaj proteste ishte mbrojtja e vajzave dhe çdokush të raportojë për rastet e dhunës.

Qytetarë të shumtë u zhvendosën pranë Ministrisë së Arsimit, ku po kërkuan dorëheqjen e ministres Besa Shahini. Me pankarta e thirrje “Ministria e Turpit” grupi i të rinjve u zhvendos para godinës, ku shkruajtën “Përdhunues” në muret rrethuese të ministrisë.