860 milion dollarë është shuma e investimeve publike që janë parashikuar për buxhetin e shtetit në vitin 2018, ndërkohë që është parashikuar edhe rritje e të ardhurave që do të përfitojnë bashkitë e vendit në shumën 31 milion dollarë.

Detaje nga projektbuxheti dhe paketa fiskale e vitit 2018 ka dhënë ministri i Financave Arben Ahmetaj, i cili ka zhvilluar një bashkëbisedim në qytetin e Durrësit me grupet e interesit.

Ahmetaj ka theksuar se investimet publike këtë vit do të rriten me 42%, ndërsa shtoi se qeveria ia ka dalë që në dy vitet e fundit të mos e shtojë më shumë borxhin publik, ndërsa tani ai po fillon të ulet gradualisht.

Investimet publike në vitin 2018

Disa nga investimet më të rëndësishme të pritshme gjatë 2018 janë përfundimi i dy bypass-ve të Fierit dhe Tepelenës, tuneli i Elbasanit si dhe projekte të reja në rrugë kombëtare që do të financohen nga skema 1 miliard lekë në partneritet me privatin. Ahmetaj ka përmendur edhe shifrat që do të përfitojë arsimi, shëndetësia dhe bujqësia, të cilat do të marrin përkatësisht shuma nga 26-30 milion euro më shumë se vitin e kaluar. Edhe pushteti lokal do të ketë më shumë fonde, pasi është parashikuar që bashkitë të financohen me 1% të produktit të brendshëm bruto, e cila përkthehet në rreth 30 milion dollarë.

K.H.