Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako zhvilloi sot në mesditë një vizitë në mjediset e portit më të madh të vendit.

Ai u prit nga drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Artjan Qirici, i cili i shoqëroi drejtuesit e ministrisë dhe bashkisë në Terminalin e Trageteve. Gjatë vizitës dhe më pas në drejtorinë ekzekutive, drejtori Qirici bëri të njohur disa nga projektet kryesore që pritet të realizohen gjatë këtij viti dhe në vitet në vijim.

Sipas Qiricit, projekti i thellimit të kanalit hyrës dhe basenit portual mbeten prioriteti i plan-buxhetit të këtij viti.

“Ne po kërkojmë gjithashtu burimet e financimit për rikonstruksionin e plotë të kalatave nr 1 dhe nr 2 në Teminalin e Mallrave Gjenerale, që njihet edhe si Terminali Perëndimor",- tha z. Qirici.

Gjatë bisedës në mjediset e drejtorisë ekzekutive të APD, ministri Gjiknuri u njoh edhe me disa nga projektet që rrjedhin në zbatim të Masterplanit portual.

Kjo ishte vizita e parë e Ministrit Damian Gjiknuri, në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë në portin e Durrësit.