Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore, duke vlerësuar shqetësimet e vazhdueshme të shprehura nga banorët e zonave pranë aksit rrugor kthesa e Kasharit – Aeroporti i Rinasit, për problematikën dhe rrezikshmërinë që paraqesin kryqëzimet e këtij aksi, ka kryer një inspektim në këtë rrugë.

E shoqëruar nga drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato, përfaqësues të firmës që mirëmban këtë rrugë dhe banorët e zonës, ministrja është ndalur në njërin nga kryqëzimet me më shumë ngarkesë dhe që ka regjistruar shpesh herë aksidente të rënda, i njohur ndryshe dhe si kryqëzimi i Bërxullit. 

Ministrja ka kërkuar nga ARRSH dhe kompania e mirëmbajtjes e rrugës që të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për të ndryshuar situatën në këtë aks rrugor.

“Sot kam ardhur në rrugën që lidh kthesën e Kasharit me aeroportin internacional të Rinasit, për shkak se kjo është një rrugë, që siç duket edhe në këto momente, ka një frekuencë të lartë të automjeteve. Por nga ana tjetër është një rrugë e cila fatkeqësisht ka dhe një numër shumë të lartë aksidentesh. 

Gjatë vitit 2018 është raportuar nga Policia Rrugore se kemi pasur 9 aksidente me pasojë jetën e qytetarëve, kemi pasur 3 vdekje dhe 15 dëmtime të rënda. Ndërkohë që kjo është një rrugë ku aksidente, të cilat nuk raportohen janë të përditshme. Fatkeqësisht ka pasur edhe problematika me komunitetin që jeton këtu. Unë i kam ata këtu sot, duke qenë se shpeshherë kanë dëmtime të automjeteve të tyre, të fëmijëve që kalojnë rrugën, pra është një rrugë e cila sot nuk i ka kushtet e sigurisë.

Ne duhet të gjejmë zgjidhje për komunitetin, duhet të rrisim sigurinë rrugore. Ky është synimi jonë. Duhet të zbatojmë Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Rrugore dhe absolutisht, si gjithmonë, qytetarët janë të parët dhe gjithçka që ata e shfaqin si problem, ne duhet të tregojmë reagim të menjëhershëm”, ka theksuar Balluku.