“Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini zhvilloi një vizitë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD). Ajo shpërndau kartat e para studentore për UAMD-në dhe pati një bashkëbisedim të frytshëm me studentët”,- thuhet në njoftimin e UAMD-së.

Në materialin filmik që shoqëron postimin e UAMD-së vihet në dukje se në filialin e Postës Shqiptare hapur në ambientet e UAMD-së ka nisur shpërndarja e kartave të para të studentit, por pa u specifikuar përfitimet që rrjedhin prej saj.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për tarifat e studimit për Bachelor-in dhe Master-in.

Rektorja Kseanela Sotirofski tha para studentëve se UAMD-ja ka tarifat më të ulta në shkallë vendi. Njëkohësisht Sotirofski theksoi se për masterin do aplikohet edhe pagesa me këste nga ana e studentëve.

Nga ana tjetër, ministrja Besa Shahini, diskutoi me studentët mundësitë e zhvillimit të praktikave pranë institucioneve publike, ndërkohë që në takim u deklarua se biblioteka digjitale do të jetë e hapur për studentët edhe gjatë fundjavës.