Shoferët në Shqipëri do të kenë së shpejti një format të ri te lejes së qarkullimi. Ministrja e Infrastrukturës ka miratuar vendimin për lejen e qarkullimit në bazë të direktivave të Bashkimit Evropian.

Sipas këtij vendimi, leja e re e qarkullimit do të ketë brenda saj edhe certifikatën e pronësisë së automjetit.

Aktualisht në Shqipëri ka dy kartona, një për lejen e qarkullimit dhe një tjetër për certifikatën e pronësisë së mjetit. Ky ndryshim do të hyjë në fuqi së shpejti.

Urdhri parashikon që leja e re e qarkullimit të jetë në përputhje me direktivën Europiane 1999/37/EC të vitit 1999.

“Leja e re e qarkullimit të jetë e barasvlershme me certifikatën e pronësisë. Prodhimi dhe plotësimi i lejes së re të qarkullimit të bëhet sipas rregullores së hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.”, thuhet në vendimin e miratuar nga ministria.