Në kushte të rënda higjieno-sanitare, por dhe të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, tre kasapë në Berat janë gjobitur nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Inspektorët e Beratit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme, gjatë inspektimit në Kuçovë në dyqanin e Eduart Goga dhe dy subjekte në Berat, të Donik Pirja dhe Marjus Tabaku ,me veprimtari tregtim mishi, konstatuan se tregtonin mish keci në mungesë të vulës dhe certifikatës veterinare.

Për shkeljet e mësipërme u morën masat administrative bllokim të produktit 22.3 kg mish keci si dhe masa administrative me gjobë në vlerën 100.000 lekë për secilin nga subjektet.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit.