Ekipet e mjekëve të Urgjencës Kombëtare Mjekësore kryen sot vizita në qendrat e evakuuimit dhe në shtëpitë e familjeve të prekura nga përmbytjet masive të ditëve të fundit në Fier dhe Vlorë, për monitorimin e situatës shëndetësore të këtyre banorëve.

“Në Fier, në shkollën “Rakip Kryeziu” ku ende ka disa familje të evakuuara nga Shën Pjetri, në Njësinë Administrative Topojë, mjekët e Urgjencës Kombëtare kryen vizita mjekësore të të gjithë të evakuuarve dhe dërguan në spital një prej banorëve që shfaqte probleme kardiake.
Vizitat shtëpi më shtëpi u kryen edhe në fshatin Bashkim, afër Vjosës, një zonë e prekur nga përmbytjet në Levan, ku mori trajtim shëndetësor një grua e porsaoperuar, e cila nuk kishte mundësi të aksesonte spitalin. Vizita mjekësore derë më derë edhe në Novoselë, në fshatin Fitore, më i prekuri nga përmbytjet masive të ditëve të fundit”
, njofton ministria.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vijon monitorimin e situatës shëndetësore të banorëve të prekur nga përmbytjet për të evituar një rritje të mundshme të sëmundshmërisë, pas përmbytjeve massive që prekën disa zona të vendit.