Rreth 30 vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës, pjesë e Organizatës "Albanian International Medical Team" kanë ofruar shërbim mjekësor falas për qytetarët e moshave të ndryshme në Durrës paraditën e kësaj të enjteje.

Mjekë e infermierë të specializuar, kanë kryer konsulta mjekësore me banorët e qytetit bregdetar për të vijuar me matjen e tensionit apo kontrolluar diabetin duke iu dhënë edhe ilaçet e nevojshme, sipas problemeve shëndetësore që ato kishin.

Doktori Mario Ademaj tha se qëllimi i kësaj organizate është krijimi i klinikave falas në çdo qytet të Shqipërisë, Kosovës e kudo ku ka shqiptarë.

Më tej doktori Ademaj tregoi se "Albanian International Medical Team" do të vijojë turin e kontrolleve mjekësore falas në qytete të ndryshme.