Ornela Gelaj është një nga mjeket shqiptare që shkoi në Itali me grupin e 30 mjekëve dhe infermierëve nga Shqipëria për të kontribuar në luftën kundër Covid-19. Ajo ka përfunduar studimet e larta për mjekësi në Fakultetit e Mjekësisë dhe Kirurgjisë në Universitetin e Romës Tor Vergata.

Mbiemri i saj nuk është i panjohur për shëndetësinë shqiptare, pasi prindërit e Ornelës janë të dy mjekë në profesion dhe punojnë në spitalin rajonal të Durrësit.

Babai i saj, Beqir Gelaj, i cili është mjek infeksionist, disa ditë më parë ka qenë në qendër të mediave, pasi u përball me virusin Covid-19.

Ai u infektua nga një paciente e tij, teksa ka qenë duke i shërbyer. Sot, mjeku Gelaj u rikthye sërish në detyrë, në spitalin e Durrësit pasi kaloi edhe periudhën 2 javore të karantinës, pasi rezultoi negativ ndaj Covid-19.

Krahas kësaj vështirësie familjare, Ornela ka dalë vullnetare për të ndihmuar popullin italian. Një sakrificë kjo që është vlerësuar nga të gjithë, qoftë njerëzit e thjeshtë, por edhe nga profesorët e saj në Itali.

Një ndër ta ka qenë edhe zëvendës ministri i Shëndetësisë italiane Pierpaolo Sileri, i cili është njëherazi dhe një nga profesorët e saj të kirurgjisë. Ai e ka pritur Ornelën në Romë bashkë me mjekët e tjerë shqiptarë dhe e ka falenderuar që është bërë pjesë e kësaj beteje. (në foton poshtë)

Ndërsa ditën e sotme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin e Gelajt, e cila thekson nga Spitali i Breshias se pavarësisht vështirësive, atje mbizotëron fryma pozitive dhe do t’ia dalin për ta përballuar këtë situatë.

“Unë besoj se jeta do të triumfojë, ndaj pranova menjëherë t’i bashkohem ekipit të mjekëve italianë në vijën e parë të përballjes me COVID-19. Pavarësisht vështirësive, këtu mbizotëron fryma pozitive se do t’ia dalim për ta përballuar këtë situatë” – Dr. Ornela Gelaj është pjesë e ekipit shqiptar që sot luftojnë në vijën e parë të luftës në spitalin civil të Breshias në Itali! Forca, jemi me ju”, shkruan ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu.